Përpunim fruta perime

Ky kurs i përgatit kursantët me kompetenca profesionale për të ushtruar veprimtari profesionale të përfshira në njësinë “Përpunues të frutave dhe perimeve”, me kod 7516, referuar Listës Kombëtare të Profesioneve, e cila ka të bëjë me procedurat e punës për prodhimin e reçelit, kompostos, marmalatës, prevedesë, glikosë, marinadave, turshive, lëngjeve të fruta perimeve, koncentrateve, vajit të ullirit, frutave dhe perimeve të thara e të ngrira dhe konservave të gatshme dhe gjysëm të gatshme. Kohëzgjatja e kursit është 360 orë mësimore gjithsej, ku 1 orë mësimore është 45 min dhe zhvillohet 4 orë në dite/ 5 ditë në javë. Programi mësimor përmban 6 module, në të cilat rekomandohet të trajtohet 10% Teori, 80% Praktikë dhe 10% Vlerësime. Punësimi: Pas përfundimit të kursit me sukses, kursanti mund të punësohet ose vetëpunësohet nё fabrikat/punishtet e përpunimit të fruta perimeve në industrinë ushqimore që i përkasin kësaj fushe veprimtarie. Me përvojë pune dhe me kualifikime shtesë mund të përparojë profesionalisht në nivelin e punëtorit të kualifikuar. Më pas, nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, punëtori mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin e teknologut ushqimor. Për të zhvilluar aktivitet privat dhe për vetëpunësim, në veprimtarinë e përpunimit të fruta perimeve, duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
  • Kriteret e pranimit: Kursanti te jete mbi 16 vjec dhe Te kete perfunduar arsimin e detyrueshem (8/9 vjecar)
  • Kohëzgjatja: 360 orë
  • Tarifa per te papunesuar : Falas